Haradinaj në Hagë: Në dokumentet e Speciales kam hasur në “Kosova Metohija”

Haradinaj në Hagë: Në dokumentet e Speciales kam hasur në “Kosova Metohija”

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, të martën duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të tij mbrojtës, ka deklaruar se në Kosovë kanë kryer krime edhe shqiptarët.

Duke dhënë dëshminë në gjykimin që po zhvillohet ndaj tij dhe Hysni Gucatit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka thënë se gjykimi ndaj krimeve po bëhet në mënyrë diskriminuese.

“Krime kanë bërë edhe shqiptarët… Ne jemi për zbulimin e të gjitha krimeve, pa marrë parasysh se kush i ka kryer. Por, jo të ketë diskriminim”, është shprehur Haradinaj.

Mes tjerash, ka deklaruar se në dokumentet e Gjykatës Speciale ka parë dokumente të përkthyera si “Kosova Metohija”.

Siç ka theksuar ai, nëse Gjykata është e Kosovës dhe e themeluar nga institucionet vendore, kjo gjuhë nuk duhej të lejohej.

“Unë jam arrestuar padrejtësisht pra pasi Gjykata s’ka pasur mandat. Kam parë në dokumentet e Speciales të përkthyer ‘Kosova Metohija’. Nëse kjo është gjykatë e Kosovës, ajo fjalë s’duhet të jetë hiç”.

Haradinaj ka folur edhe për arrestimin e tij nga forcat serbe gjatë vitit 1981. Ka bërë të ditur se me të ishte arrestuar edhe motra e tij 15-vjeçare.

“Ishte në prill të vitit 1981, diku në mesnatë, kur veç kishin shpërthyer demonstratat në Kosovë. U arrestuam unë edhe motra 15-vjeçare. Arsyeja për botën e civilizuar dhe për ju mund të jetë jonormale, por arsyeja ishte që ne të jetonim të lirë si gjithë popujt në ish-Jugosllavi dhe asgjë tjetër”, ka thënë ai.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës./Insajderi.com