Haradinaj: Nëse Kosovës i pamundësohet anëtarësimi në OKB dhe NATO, të bashkohemi me Shqipërinë

Haradinaj: Nëse Kosovës i pamundësohet anëtarësimi në OKB dhe NATO, të bashkohemi me Shqipërinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se nëse Kosovës i pamundësohet anëtarësimi në OKB dhe NATO, duhet të bashkohet me Shqipërinë, përcjell Insajderi.

Ai tha se shqiptarët asnjëherë më parë nuk kanë qenë më të sigurt se tani me prezencën e NATO-s.

“Shqiptarët kurrë në jetë nuk kanë qenë më afër një organizimi të sigurt, çfarë është NATO. Shqipëria është në NATO e ne jemi afër NATO-s, edhe Kosova duhet të jetë në NATO….Nëse i pamundësohet Kosovës anëtarësimi në OKB dhe në NATO, ne duhet të bashkohemi më Shqipërinë”, theksoi ish-kryeministri.

Haradinaj këto komente i bëri gjatë manifestimit qendror në Verrat e Llukës së Deçanit, ku është bërë pajtimi i gjaqeve 22 vite me parë.

Pjesë e këtij manifestimi ishte edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili tha se dita e pajtimit të gjaqeve është ngjarja më madhështore që i ka ndodhur kombit shqiptar.

“Çdo komb gjatë rrugëtimit tij, në udhëkryqet e tij i ka gjestet më të mëdha historike, e ka përcaktimin që bënë një ngjarje madhështore në vitet e 90-ta, pavarësisht të gjitha ngjarjeve që pasojnë para dhe pas saj. Unë besoj dhe vlerësoj që është ngjarja më madhështore që i ka ndodhur kombit tonë”, pohoi Ramosaj./Insajderi.com