Haradinaj: Nëse s’ka dakordim për kandidaturën time për President, shkojmë në zgjedhje

Haradinaj: Nëse s’ka dakordim për kandidaturën time për President, shkojmë në zgjedhje

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se paraqitja e kandidaturës së tij për president të vendit ka qenë një ofertë për partitë e tjera në mënyrë që të gjendjet një zgjidhje dhe vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme. Haradinaj thotë se nëse nuk ka marrëveshje për kandidaturën e tij, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje, njofton Insajderi.

“Zgjedhjet janë zgjidhje politike, nuk mund të precizojë se si do të shkojnë diskutimet mes partive politike. Ne si AAK kemi ofruar një opsion dhe kemi ofruar një kandidaturë që është e imja. Do të kemi diskutime të ndërsjellat dhe nëse nuk arrihet të ketë një dakordim rreth kësaj formule do të kemi zgjedhje. Kjo është çështje negocimi mes partive dhe nëse kanë interesim, nëse jo ne i kemi të rregulluar këto procese, do të kemi zgjedhje. Ne kemi zgjedhjet po qe se nuk ka marrëveshje, por me ndihmuar arritjen e një marrëveshje kemi nxjerrë një propozim dhe një opsion dhe kemi nxjerrë kandidatin dhe argumente pse. Nëse nuk ka marrëveshje me opsionin që kemi dhënë, mbetet opsioni legjitim dhe i barabartë për të gjithëve e që janë zgjedhjet”, tha Haradinaj.

Këto komente kryetari i AAK-së i bëri në një intervistë për Report Tv nga Tirana, ku foli edhe për shumë çështje tjera.

Duke folur për ndarjen e Kosovës, ish-kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi se ai ishte një projekt rajonal dhe jo i SHBA-së. Por tashmë ai beson se përderisa më parë kanë dështuar për ta realizuar, tani do jetë akoma më e vështirë.

“Bashkëpunimi Kosovë-SHBA? 2 administratat republikane dhe demokrate kanë pasur komunikim të vazhdueshëm me Kosovën. Administrata Trump na dha një mbështetje të mirë. Shpresoj që dhe me Presidentin Biden të kemi të njëjtën marrëdhënie. Ndarja e Kosovës ka qenë një projekt ballkanik. Nuk mund t’i vendosim faj SHBA-së duke kërkuar ndarjen e Kosovës. Mundet që lider të ndryshëm të kërkojnë përpjekje të tilla. Do ta kenë më të vështirë jashtë rajonit për një formulë të tillë. Ata që donin ta bënin këtë e humbën rastin e tyre”, tha Haradinaj.

Për ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, rrëzimi i qeverisë Kurti ishte vetë faji i kreut të Lëvizjes Vetëvendosjes. Ai thotë se Kurti humbi besimin tek aleati i tij, çka bëri që të humbë dhe shumicën në Parlament.

“Marrëdhëniet mes palëve politike janë kontrata dhe janë të vullnetshme. të gjithë mendonin se Kurti do ishte i fuqishëm por ai e humbi shpejt besimin e aleatit të vet. Mendoj që qeverinë Kurti e rrëzoi vetë ai. Është përgjegjësia e kryeministrit që të mbajë shumicën e vetë. Ai ka negociuar në kohën e Grenell dhe Thaçit dhe ka krijuar një shumicë. Nëse Grenell dhe Thaçi nuk donin që të bëhej Kurti nuk do e kishin lejuar që në fillim. Por është vetë faji i Kurtit” – tha Haradinaj.

Ish-kryeministri i Kosovës tha se nuk e shikon të dobishme ngritjen e Komisionit të Posaçëm për raportin e Dick Martit nga Shqipëria pasi nuk ka kuptim t’i kthehen pas kësaj çështje. Për Haradinaj do të ishte shumë më e dobishme që Kosova dhe Shqipëria të bashkëpunojnë dhe të ndërtojnë një marrëdhënie të mirë me gjykatën në Hagë që po heton aktakuzat për krime lufte në mënyrë që të dalë e vërteta e luftës së pastër të UÇK-së dhe pafajësia e të akuzuarve.

“S’më duket shumë e qëlluar komisioni i posaçëm i ngritur në Shqipëri për raportin e Dick Martin, pasi nga ai raport ka derivuar krijimi i një gjykate dhe aktakuzat e para për UÇK-në. Nuk e shoh efektin e këtij komisioni i gjetjes së tyre, nuk e di si do të duket. Po nuk ka qenë një alarm i ngritur si tani rreth këtij raporti. Nuk e di se si mund të ketë ndikuar Shqipëria apo Kosovë se si ka rrjedh ky raport, në një mënyrë apo tjetrën ka pasur palë serioze me i zbardhur, ne po humbin kohë duke iu kthyer parapa. Më mirë do të ishte të nënshkruhej  një dokument strategjik se si do të qasemi ndaj kësaj gjykate. Duhet me bashkëpunuar nga Shqipëria dhe e Kosova me u gjet e vërteta e UÇK–së e luftës së saj të pastër, që mori dhe përkrahjen e NATO-s. Kjo arrihet përmes një bashkëpunimi. Marrëdhëniet e mira me këtë gjykatë do te jetë më e lehët të gjendjet e drejta e luftës së UÇK-së dhe pafajësia e të dënuarve”, tha Haradinaj./Insajderi.com