Haradinaj: Nëse s’ka njohje, a duhet që edhe Kosova të armatoset?

Haradinaj: Nëse s’ka njohje, a duhet që edhe Kosova të armatoset?

Dëshira për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën e ka potencuar presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është në logjikën e këshillës për të dy vendet, ka thënë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Falënderojmë presidentin Macron për sinqeritetin e shprehur, kur tha se Kosova dhe Serbia janë shtete evropiane, me perspektivë evropiane. Mendoj që kjo shpjegon shumë”, tha Haradinaj, në një konferencë për media në Prishtinë.

Megjithatë, ai ka shtuar se kompromisi i vetëm që Kosova mund ta bëjë për të arritur njohjen nga Serbia, është heqja e taksës prej 100 për qind për produkte e importuara nga Serbia.

Haradinaj ka theksuar se ajo që ka kërkuar Kosova “është shumë bazike, pra, një kornizë-marrëveshje për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, me elementet përcjellëse”, për të cilën do të zhvillohen negociatat.

“Hezitimi është që Serbia ose që një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare po thotë ‘nuk mund t’ia vëmë emrin njohje reciproke në kufijtë ekzistues’. Kjo po i bie që po na këshillojnë edhe neve që të blejmë ‘Mistral’-a (pjesë e sistemit raketor). Serbinë po e armatosin me ‘Mistral’. Për shembull, Serbia po shkon dhe po blen armë në Rusi. Edhe Franca e bëri një kontratë me Serbinë, për sisteme raketore. Ndërkaq, neve na thonë ‘nuk mund t’i vëmë emrin marrëveshjes’ se është njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Çka të bëjmë ne, pra, nëse emrin nuk mundeni t’ia vëni? Ne jemi shtet i pavarur dhe ne nuk kërkojmë asgjë tjetër në dialog pos njohjes reciproke. Nëse nuk jeni gati për këtë, atëherë është porosi për ne që edhe ne të armatosemi”, tha Haradinaj.

Presidenti francez Macron, i cili po qëndron në vizitë dyditore në Beograd, ka theksuar se do ta organizojë një takim ndërmjet liderëve shtetëror të Serbisë dhe Kosovës, së bashku me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka ngecur qysh në fund të vitit të kaluar, kur Kosova u ka vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia.

Serbia ka vënë kusht heqjen e taksës, për vazhdimin e dialogut. Por, Qeveria e Kosovës, përkundër thirrjeve edhe të Bashkimit Evropian, edhe të Shteteve të Bashkuara, nuk është zmbrapsur nga taksa.

Krahas dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, i cili vazhdon të mbetet i ndërprerë, një nismë për bisedime kanë iniciuar edhe kancelaria gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Por, as kjo nismë, me gjithë disa përpjekje, deri më tani nuk ka sjellë si rezultat vazhdimin e dialogut.