Haradinaj nuk e sheh problem vizitën e Gjuriqit: Ardhja e tij ka mundur edhe të lejohet

Haradinaj nuk e sheh problem vizitën e Gjuriqit: Ardhja e tij ka mundur edhe të lejohet

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë se ndalesa për zyrtarin e lartë të Serbisë, Marko Gjuriq ka mundur edhe të lejohej, teksa ka shtuar se nuk e sheh problematike ardhjen e tij në Kosovë.

Haradinaj, në intervistë ka thënë se ndalesa për Gjuriqin ka mundur edhe të mos vendosje fare.

“Ndalesa mos me hy Gjuriqi në Kosovë, edhe ka mundur me u ndalu”, ka thënë Haradinaj në KTV.

Haradinaj më tej ka thënë se ai ka qenë informuar pas një ditë e gjysmë pas vendimit për ndalimin e Gjuriqit.

“Unë jam informuar për nga Ministria e Punëve të Brendshme pas një ditë e gjysmë prapa [vendimit], unë jam informuar të dielën në mbrëmje, ndërsa vendimi është marrë të premten”, ka thënë Haradinaj.

Më tej ai ka thënë se nuk e konsideron problem ardhjen e Gjuriqit në Kosovë.

“Motivi pse është ndalu mund të diskutohet, për bindjen time s’është problem ardhja e tij në Kosovë. Por në momentin që jam i informuar se do të ndalohet për mua s’ka pasur problem. Ministria e Punëve të Jashtme ka marrë vendim, Ministria e Punëve të Brendshme ka vendosë me e zbatuar”, ka thënë Haradinaj.