Haradinaj pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë: Beogradi po u bënë presion ushtarëve serbë për tërheqje nga FSK-ja

Haradinaj pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë: Beogradi po u bënë presion ushtarëve serbë për tërheqje nga FSK-ja

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thirrur gjatë ditë së sotme një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Kosovës. Ndërsa pas takimi në konferencën për media, ka treguar arsyet se pse është thirrur një mbledhje e tillë.

“Tema e rendit të ditës është çështja e sigurisë pas presioneve të Beogradit ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb, pjesëtarë të FSK-së…Keni qenë dhe jeni në dijeni se për një kohë të caktuar raportohet edhe në media për sulme me armë, me mjete shpërthyese që rrezikojnë jetën e pjesëtarëve serbë të FSK-së, në të kaluarën kanë ndodhur në veri”.

Haradinaj ka thënë se është raportuar edhe për kërcënime të tjera që së fundmi ka rezultuar me këkesën për lirim nga FSK-ja, të një numri të pjesëtarëve serbë të FSK-së.

Sipas Haradinajt, tërheqja e ushtarëve serbë nga FSK-ja vjen si pasojë e presionit të drejtpërdrejtë dhe të formave të ndryshme nga Beogradi zyrtar.

“Shumica e tyre në deklarimet e motiveve për lirim paraqesin presionin e ushtruar direkt nga autoritetet e Beogradit zyrtar, qoftë gjatë lëvizjeve të tyre në Serbi pra ndalimin, marrjet në pyetje dhe kërcënimet për jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre deri te instrumentet tjera që janë përdorë përfshirë edhe mekanizmat tjerë të institucioneve paralele që operojnë në Kosovë të cilët kanë zbatuar këtë agjendë të presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve të pjesëtarëve të FSK-së, qytetarë serbë të Kosovës”.

Megjithatë, i pari i ekzekutivit kosovar ka thënë se kjo çështje nuk e ka cenuar sigurinë e përgjithshme në vend.

“Kjo nuk rezulton me prishjen e sigurisë së përgjithshme në vend, nuk ka një prishje të sigurisë së përgjithshme në vend. Ajo që del nga ky takim janë edhe veprimet e Kosovës që janë të nevojshmë në këtë situatë të krijuar. Të gjitha institucionet janë në nivel të punëve dhe veprimeve të veta lidhur me këtë situatë të fundit të krijuar”.