Haradinaj pasi ia rriti pagën vetes dhe e anuloi – zotohet për ngritjen e pagave të këtij sektori

Haradinaj pasi ia rriti pagën vetes dhe e anuloi – zotohet për ngritjen e pagave të këtij sektori

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është zotuar për ngritjen e integritetit të sistemit të shëndetësisë. Ka thënë se së bashku me drejtuesit e sektorëve shëndetësor janë mobilizuar për paga të dinjitetshme dhe ndërtimin e infrastrukturës, shkruan Insajderi.

Haradinaj përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë ndërtimi i infrastrukturës është më se e nevojshme.

“Qeveria e Kosovës do t’ia kthejë integritetin sistemit të shëndetësisë, duke ngritë cilësinë e shërbimeve. Së bashku me drejtuesit e sektorëve shëndetësorë jemi mobilizuar për paga të dinjitetshme, ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme dhe avancimin e ligjeve në këtë fushë. Mjekët janë heronjtë e Kosovës dhe e kemi detyrë t’ua kthejmë dinjitetin”, ka shkruar Haradinaj.

Kryeministri i vendit kishte marrë një vendim në dhjetor të vitit të kaluar për t’i dyfishuar pagën vetës dhe stafit të tij. Haradinaj pagën e kryeministrit nga 1500 euro në muajt e kishte dyfishuar duke e bërë që paga e tij të jetë 2950 euro.

Haradinaj gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se ka pezulluar përkohësisht vendimin për ngritjen e pagës, për shkak të vendimit të AKK-së dhe vendi kërkesës së 30 deputetë.

“Vendimin e AKK-së, lidhur me nivelizimin e pagave, e vlerësoj të paqëndrueshëm dhe të ndikuar politikisht. Për këtë vendim kemi dorëzuar përgjigje të qartë dhe kjo është e njohur për opinionin. Megjithatë, pas kërkesës së 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për nivelizim të pagave, të marrë më 20 dhjetor nga Qeveria e Kosovës, kam vendosur që përkohësisht, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ta kërkoj pezullimin e këtij vendimi”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.