fbpx

Haradinaj: Po persekutohem politikisht, të gjithë po bëjnë fushatë përveç meje

Haradinaj: Po persekutohem politikisht, të gjithë po bëjnë fushatë përveç meje

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj thotë se është “persekutim politik” urdhër arresti i lëshuar nga Serbia mbi bazën e të cilit është duke e mbajtur në Francë që nga janari.

Në një intervistë për AFP të dielën, Ramush Haradinaj ka thënë se ishte “tronditur” se si Franca kishte vepruar në përputhje me urdhrat të lëshuar nga Beogradi në vitin 2004, edhe pse ai është shpallur i pafajshëm në Hagë.

“Ky është një persekutim, një përndjekje politike, për shkak të qëndrimit tim për një Kosovë të pavarur”, ka thënë Haradinaj për AFP.

“Kërkesa për ekstradimin tim është e pabazuar”, ka shtuar ai, raporton Insajderi.

“Unë jam shpall i pafajshëm nga gjykata ndërkombëtare dhe  kam pasur mundësinë për të udhëtuar në disa vende në Evropë edhe në ShBA dhe askush nuk më ka ndaluar”, ka shtuar ai në këtë intervistë.

Autoritetet franceze liruan Haradinajn pas arrestimit të tij me 4 janar, por e urdhëroi atë që të mbetet në pritje të një vendim për kërkesën e ekstradimit nga Serbia.

Liderit i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se kjo është duke ia dëmtuar shanset e tij në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.

“Unë e kam humbur mundësinë time si një udhëheqës i opozitës. Të gjithë po bëjnë fushatë në Kosovë përveç meje”, ka thënë kreu i AAK-së.

Ai ka thënë se zgjedhjet legjislative do të mund të mbahen në fillim të qershorit, edhe pse Qeveria e Prishtinës ka refuzuar të marrë në konsideratë një votim të hershëm dhe nuk është caktuar data.

“Kosova dëshiron njohje, reciprocitet. Ne nuk mund të vazhdojmë një dialog me konfuzion”, ka thënë ai, duke aluduar për refuzimin e Beogradit, për të njohur Kosovën si shtet të pavarur, vazhdon shkrimin AFP.

Haradinaj, i cili kundërshton një marrëveshje 2013 midis vendeve, akuzoi Serbinë për të luajtur në tensionet me Kosovën për arsye të veta politike, dhe bëri thirrje për “një kornizë të re, me qëllime të qarta”.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, duke u bërë shteti më i ri i Evropës.

Haradinaj është arrestuar edhe njëherë në Slloveni, në vitin 2015, por e liruan për shkak se ai kishte imunitet diplomatik, përfundon shkrimi./Insajderi.com