Haradinaj priti në takim ambasadorin që “kishte gënjyer” kundër tij

Ramush Haradinaj e kishte quajtur "rrenc" ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert, me të cilin u takua sot në Prishtinë.

Haradinaj priti në takim ambasadorin që “kishte gënjyer” kundër tij

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, Didier Chabert. Haradinaj dhe Chabert kishin polemizuar me njëri-tjetrin rreth mbajtjes së Haradinajt në Francë, gjatë këtij viti.

Haradinaj, gjatë takimit të sotëm me Chabert, biseduan për procesin zgjedhor, si dhe për rëndësinë e krijimit të institucioneve të reja të Kosovës pas përmbylljes zyrtare të këtij procesi.

Por lideri i AAK-së e kishte quajtur “gënjeshtar” ambasadorin francez, vetëm një muaj më parë, raporton Insajderi.

Në një deklarim publik muajin e kaluar, Haradinaj kishte reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit të Francës në Kosovë, Didier Chabert, i cili kishte thënë se ”lideri i AAK-së po mbahej në shtetin francez për shkak të akuzave të reja ndaj tij.”

Haradinaj, pasi u kthye nga Strasburgu, tregoi arsyet për të cilat ai hetohej nga Gjykata e Colmarit, duke hedhur poshtë deklaratat e ambasadorit Chabert për akuza të reja ndaj Haradinajt. Madje, ai e quajti papërgjegjësi të madhe të diplomatit francez, i cili nuk kishte për bazë asnjë vendim që dëshmonte se ndaj Haradinajt kishte akuza të reja.

“Me dëgju ambasadorin duke i komentu provat ligjore, duke thënë se këto janë prova të reja se nuk janë gjykuar në Hagë. A ka qenë ambasadori në Hagë, apo në çfarë është bazuar ky ambasadori i nderuar. Ja kam thënë publikisht se ka rrejt, se as gjykata nuk ka marrë vendim a është lënda e re apo e vjetër”, ka thënë Haradinaj, në emisioni Komiteti të Gazetës Express.

Haradinaj ishte arrestuar më 4 janar të këtij viti në Francë, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga shteti serb. Ai ishte liruar më 27 prill, pas vendimit të Gjykatës së Colmarit në Francë. /Insajderi.com