Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të nxjerrë vendim për masat e reja të rimëkëmbjes ekonomike, të cilat sipas tij, duhet të përfshijnë edhe strategjinë dalëse nga kriza ekonomike, shkruan Insajderi.
Haradinaj në Facebook, ka thënë se në rast se nuk merren masa për rimëkëmbjen ekonomike do të thellohet edhe më shumë kriza ekonomike në vend.
“Duke pasë parasysh ndikimin e subvencionimit të bizneseve në krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës, i rekomandojmë Qeverisë së Kosovës sa më shpejt të nxjerrë vendim për masat e reja të rimëkëmbjes ekonomike, të cilat duhet të përfshijnë edhe strategjinë dalëse nga kriza ekonomike, në mënyrë që ekonomia e vendit të stabilizohet sa më shpejt. Në të kundërtën vazhdojmë të rrezikojmë thellimin edhe të mëtejshëm të krizës”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, në muajin prill, bazuar në shifrat zyrtare të punësimit shihet një rënie prej mbi 57 mijë vendeve të punës.
“Fatkeqësisht në muajin prill, sipas shifrave zyrtare shihet një rënie prej mbi 57 mijë vendeve të punës. Indikatorët ekonomikë tregojnë se kjo shifër pritet të bie edhe më tutje”, ka shkruar Haradinaj./Insajderi.com