Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të merren të gjitha masat për riatdhesimin sa më të shpejtë të trupave të kosovarëve që vdiqën në aksident trafiku në Kroaci.
Sipas tij, familjet e viktimave janë në ankth dhe çdo vonesë në këtë proces vetëm sa do ta shtonte dhimbjen.
“Historia jonë është e mbushur me vuajtje, histori të dëbimeve, shpërnguljeve dhe ndarjeve. Ajo ishte e pamëshirshme me ne shqiptarët. Më shumë se gjysma e popullit tonë, jetojnë rrugëve të mërgimit. Ajo që na bashkon është gjuha dhe trualli i stërgjyshërve”, ka thënë ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që e hëna e 26 korrikut të shpallet ditë zie shtetërorem në nderim të qytetarëve kosovarë që humbën jetën tragjikisht në një aksident trafiku në Kroaci.
Kështu është bërë e ditur nga Zyra e Presidentes, ku thuhet se shkaku i kësaj ngjarje tragjike, Osmani e ka ndërprerë vizitën e saj në Japoni dhe sot do të udhëtojë drejt Kosovës./Insjaderi.com