Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se “aksionet në Veri të Kosovës mund të jenë kryer për qëllime elektorale”.
Për këtë – ai ka kërkuar sqarim nga Qeveria e Kosovës.
“Ne duam të besojmë që aksionet e sotme, të kenë qenë pjesë e planit të rregullt operativ të policisë në ndjekje të krimit”.
“Veç se qeveria e ka për detyrë ta sqarojë edhe opinionin publik edhe veten, për përzgjedhjen e momentit kohor për kryerjen e këtyre operacioneve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook,
“Nëse është e mundshme duhet të hiqet çdo dilemë, se këto aksione mund të jenë kryer për efekte elektorale”.
Ndërsa, për sa i përket aksionit të sotëm, Haradinaj shtoi se askush nuk duhet të ngre dorë ndaj policit të Kosovës.
“Secili që sulmon policinë e Kosovës dhe e prish rendin publik, duhet ta marrë dënimin e merituar”.
Çka ndodhi në veri?
Mëngjesin e së mërkurës, Policia e Kosovës nisi një aksion në nivel vendi kundër kontrabandës së mallrave.
Aksioni kishte përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut.
“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Por, jo të gjithë ishin të bindur ndaj organeve të rendit.
Serbët lokalë në Mitrovicën e Veriut bllokuan rrugët, madje u përplasën edhe me policinë.
Reagimi i Beogradit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme me kryetarët e komunave të Kosovës me shumicë serbe.
Për këtë ai është nisur për në bazën ushtarake të Rashkës, raporton agjencia e lajmeve serbe Tanjug, transmeton Shqip.com
Sipas mediave në Beograd, takimi është thirrur për shkak të situatës dramatike që mbizotëroi të mërkurën në Veriun e Kosovës.
Aksionin e sotëm e ka cilësuar si “provokim”, drejtori i së ashtuquajturës zyre për Kosovën, Petar Petkoviq.
Madje, ky i fundit ka akuzuar Albin Kurtin që “po e përdor veriun për zgjedhjet lokale të 17 tetorit”. /Shqip.com