Haradinaj i kundërpërgjigjet Erdoganit

Haradinaj i kundërpërgjigjet Erdoganit

Përgjigja e shumëpritur e Haradinajt për presidentin turk Erdogan ka ardhur në një ditë simbolike – ajo për Skëndërbeun. Haradinaj ishte i prerë, por nuk ishte shumë i ashpër.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, më në fund i është kundërpërgjigjur presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pas akuzave që i mori nga udhëheqësi turk, për reagimin e tij rreth dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi.

Shefi i ekzekutivit të vendit i ka thënë Erdoganit se nuk do ta lejojë të përzihet në punët e brendshme të Kosovës.

Haradinaj ka thënë se shqiptarët nuk e kanë në traditë të ndërhyjnë në punët e shtëpisë të dikujt tjetër.

“Kosova dhe unë s’kemi hyrë në punët e brendshme të Turqisë, as në të kaluarën, as sot, as në të ardhmen, por po ashtu punët tona të shtëpisë nuk do të mund t’i bëjë dikush në emër tonë në Kosovë, kemi me i bërë vetëm ne kur i bëjmë ne. Këtë le ta dinë të gjithë”, ka thënë Haradinaj.

Të shtunën, Erdogan ka kërcënuar hapur kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, për shkarkimin e dy personave të cilët ishin përgjegjës për operacionin që arrestoi ‘gylenistët’. Erdogan në një tubim të madh të partisë së tij, i ka thënë Haradinajt se do të japësh llogari për këtë.

Agjencia e Intelegjencës së Turqisë ka kapur gjashtë gylenistë përmes një operacioni që ka realizuar në bashkëpunim aktiv me inteligjencën e Kosovës, të enjtën.

Personat Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina janë sjellë në Turqi me një avion të posaçëm nga ana e MIT.

Pas këtij rasti, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte kërkuar lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia e Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj. /Insajderi.com

  • Emisionin Patriotët e Çmendur të InDoks, shikojeni në këtë LINK