Meliza Haradinaj-Stublla, ish-ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e ka quajtur të drejtë vendimin e kësaj ministrie për t’ia refuzuar kërkesën për të hyrë në Kosovë drejtorit të të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, njofton Insajderi.
Sipas saj, Petkoviq përdorë gjuhë dhe deklarata shoviniste.
Ndaj, Haradinaj-Stublla ka thënë se i njëjti nuk duhet të lejohet të hyjë derisa ta pranojë dhe respektojë realitetin e Kosovës.
“Më vjen mirë që MPJD nuk paska lejuar ardhjen në Kosovë të të ashtuquajturit drejtor të zyrës për Kosovë Petar Petkoviq. Ky i fundit nuk i ndahet gjuhës dhe deklaratave shoviniste, nuk respekton Republikën e Kosovës, dhe asnjë nga ata nuk respektojnë frymën e zotimet e marrëveshjeve të Brukselit dhe Uashingtonit. Ata s’duhet të lejohen derisa të gjithë ta pranojnë dhe respektojnë realitetin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo në Facebook./Insajderi.com