Haradinaj: Sali Zyba ishte sekser i Vetëvendosje për t’i siguruar vota Vjosa Osmanit

Haradinaj: Sali Zyba ishte sekser i Vetëvendosje për t’i siguruar vota Vjosa Osmanit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar Sali Zybën e Lëvizjes Vetëvendosje që ka qenë “sekser”, për t’i siguruar vota Vjosa Osmanit.

Haradinaj i cili ishte kandidat për president në zgjedhjet e 14 shkurtit është deklaruar për herë të parë pas zgjedhjes së Presidentit – kritikoi partinë e Albin Kurtit për presion mbi deputetët e tij.

“Kemi deputetë të tjerë që kanë ardhur me oferta, na kanë treguar se çka i kanë ofruar të tjerëve. Pos të deputetja Reshitaj ka pasur presion edhe te deputetë të tjerë të AAK-së dhe atë presion serioz, në formë të krijimit të një klime përreth se ‘do të kesh këto beneficione e materiale të natyrave tjera, dhe duke qenë kështu s’mund ta uroj presidentin që ka blerë vota”, deklaroi Haradinaj në Klan Kosova.

Ai po ashtu shtoi se ishte e çuditshme sesi partia me 50 përqind të votave, “kërcenoi partitë e opozitës me zgjedhje” që ta votojnë kandidaten e tyre për President.

“Një qasje e këtillë e kërcënimit se ‘ju çojmë në zgjedhje nëse s’na votoni kandidaten tonë, ishte disi e jo e drejtë dhe jo e nevojshme sepse ata ishin fitues, dhe ishte çuditshme se nuk u shërbyen me argumente tjera për shembull se nëse shkojmë prapë në zgjedhje do të rrezikohej ekonomia, qytetarët nga pandemia, etj., por ishte kërcënim i pastër se nëse s’na votoni ne do të shkojmë prapë në zgjedhje”. /Insajderi.com