Kryetari i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se kjo parti nuk do të ketë kandidaturë për kryeministër, por se synimi i kësaj partie është posti i presidentit, transmeton Insajderi.
Kështu u deklarua ai sot duke thënë se në këto zgjedhje synojnë të arrijnë një rritje prej mbi 20 deputetë.
“Nuk nxjerrim kandidaturë për kryeministër, kemi kandidaturë për president. Sikur të ishim një parti 70% do të nxjerrnim tre emra, për kryeministër, për president, për kryeparlamentar do të ishin këta emrat tanë”, tha Haradinaj për “Lajmi”.
“Ne synojmë rritjen mbi 20 deputetë është objektiv real edhe një sinqeritet, një vërtetësi në garë me ju tregu qytetarëve se çfarë kërkojmë. Ne garojmë në këto zgjedhje me ja dhënë Kosovës presidentin”, shtoi ai.
Qytetarët do t’iu drejtohen kutive të votimit më datë 14 shkurt, vendim ky që është marrë mbrëmë nga Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me votën e deputetit Etem Arifi për krijimin e Qeverisë me në krye Avdullah Hotin. /Insajderi.com