Haradinaj: Serbia po kërcënon Kosovën në kohën kur kemi një qeveri të shkarkuar dhe një president të dobët

Haradinaj: Serbia po kërcënon Kosovën në kohën kur kemi një qeveri të shkarkuar dhe një president të dobët

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar udhëheqësit e tanishëm të vendit, duke theksuar se vendi ka nevojë për një president të fortë, njofton Insajderi.

Haradinaj ka thënë se Serbia po ndihet e fortë kur Kosova ka një qeveri të shkarkuar dhe një president sipas tij, të dobët në detyrë.

“Ai ndihet i fortë tani kur Kosova ka një Qeveri të shkarkuar dhe një President të dobët në detyrë. Ne kemi nevojë për një President i cili qëndron fortë për Kosovën dhe është i denjë të përballet me kundërshtarin agresiv, Serbinë”, ka shkruar ai në Facebook.

Kreu i AAK-së, ka lavdëruar punën e tij sa ishte kryeministër, teksa ka thënë se kur ai të bëhet president FSK-në do ta bëjë pjesë të NATO-s.

“Ndërsa e krijuam ushtrinë në kohën sa isha Kryeministër, një punë që ishte kundër bindjes së fqinjit tonë, në mandatin tim si president, këtë ushtri dhe Kosovën pretendoj t’i bëj pjesë të NATO-s. Ky është çelësi i sigurisë dhe i paqes në rajon dhe përgjigjja më e mirë në deklaratat luftënxitëse të Vuçiqit”, vijon reagimi I tij.

Theksojmë se Haradinaj tash e një kohë ka shprehur haptazi ambicien e tij për postin e presidentit, teksa ka thënë se si AAK nuk do të kenë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme pasi që duan postin e presidentit./Insajderi.com