Haradinaj shkarkon ministrin e Brendshëm dhe Shefin e AKI-së

Haradinaj shkarkon ministrin e Brendshëm dhe Shefin e AKI-së

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar Ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe kryeshefin e AKI-së, Driton Gashi.

Këtë vendim,  Haradinaj e mori pas operacionit të djeshëm të realizuar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës për dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.

“Dje nga të gjithë mekanizmat e sigurisë kam pranuar raportin zyrtarë lidhur me çështjen e ndërprerjes së leje qëndrimit, ndalimi dhe depërtimit urgjent dhe të fshehtë të gjashtë qytetarëve turq nga territori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë”

“Dua edhe një herë të potencoj se veprimet e djeshme në këtë rast ishin tërësisht të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat dhe parimet tona si popull dhe si shtet. Duke marrë parasysh se si Kryeministër i Republikës nuk kam qenë paraprakisht apo me kohë fare i informuar nga institucioni që ju drejtoni, kërkoj nga ju: Lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia…”, thuhet në vendimet e shkarkimit.

Këta të fundit punonin në kolegjin turk “Mehmet Akif” – shkollë që bën pjesë në rrjetin e shkollave të klerikut turk Fetullah Gulen, i cili nga Turqia konsiderohet si terrorist.

Për arrestimin dhe deportimin me procedurë të përshpejtuar të gjashtë turqve nuk kishin ditur asgjë krerët e shtetit, të paktën kështu deklaruan publikisht.