
Pas shkarkimit të zëvendësministres serbe, Vesna Mikiq kryeministri, Ramush Haradinaj ka shkarkuar edhe ministrin e Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, i cili i quajti shqiptarët terroristë e masakrën e Reçakut trillim.
Lajmin e ka bërë të ditur vet kryeministri përmes një shkrimi në Facebook.
Haradinaj ka thënë se është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë, shkruan Insajderi.
“Është e pakuptimtë se si një deri sot kolegë i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi. Kjo nuk arsyetohet”, ka shkruar mes tjerash Haradinaj.
Shkrimi i plotë i Haradinajt:
Sot kam marrë vendim për shkarkimin e Ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq. Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë. Është e pakuptimtë se si një deri sot kolegë i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi. Kjo nuk arsyetohet. Në Qeverinë që unë e drejtoj nuk do të ketë vend për askë që në çfarëdo mënyre fyen të tjerët në bazë etnike, racore, fetare apo tjetër, e as ata që synojnë të akceptojnë politikat e tilla. Vendimi hyn në fuqi menjëherë.
RH
Ministri serb në Kosovë i quan shqiptarët terroristë e masakrën e Reçakut trillim