Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur “papërgjegjësi të skajshme” të Qeverisë Kurti moszëvendësimin e 12 ambasadorëve që u shkarkuan muaj më parë.
Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se shumë prej misioneve dhe ambasadave të Kosovës kanë mbetur me dyer të mbyllura dhe jashtë funksionit.
Sipas tij, qeveria “po tallet me misionet diplomatike të vendit në botë”.
“Shfrytëzoj rastin që të përgëzoj të gjithë ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë që u tërhoqën nga shërbimi, për punën e tyre të suksesshme dhe përfaqësimin me dinjitet të Kosovës në botë”, ka shkruar Haradinaj.
“Jo pa arsye, veçoj ambasadorët Beqë Cufaj, Avni Arifi dhe Arbër Vllahiu me të cilët kam bashkëpunuar ngushtë dhe shpreh gjithë falënderimin tim për profesionalizmin e tyre në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të Kosovës në vendet respektive”.
Të liruarit nga detyra më 19 maj e të cilët ishin emëruar me çelës politik janë: Beqë Cufaj (Gjermani), Nait Hasani (Shqipëri), Arbër Vllahiu (Çeki), Lirim Grejqevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Gezim Kasapolli (Kroaci), Avni Kastrati (Slloveni), Gjergj Dedaj (Maqedonia e Veriut), Hajdin Abazi (Australi), Ylber Hysa (Mali i Zi), Avni Arifi (Emiratet e Bashkuara Arabe) e Amir Ahmeti (Katar)./Insajderi.com