Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, në mbledhjen e dy qeverive shqiptare, atë të Kosovës dhe Shqipërisë, që po mbahet në Tiranë, e ka përmendur njërën nga marrëveshjet që pritet të nënshkruhet sot, njofton Insajderi.
Haradinaj thotë se sot nënshkruhet marrëveshja për ngritjen e fondit të përbashkët për Luginën e Preshevës – fond ky që ka vlerë prej pesë milionë eurosh.
“Sot nënshkruhen marrëveshje për ngritjen e fondit të përbashkët për Luginën e Preshevës. Shqiptarët atje janë të shtypur u shkelen të drejtat themelore vetëm për të minimizuar rolin dhe rëndësinë e tyre. Njësoj edhe për shqiptarët në Mal të Zi. Është obligim dhe detyrë t’u vijmë në shërbim më të gjitha kapaciteteve tona atyre”, thotë Haradinaj.
Që kjo marrëveshje të nënshkruhet sot, dje ka kërkuar edhe kryetari i komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, i cili me anë të një njoftimi në Facebook, tha se megjithëse nuk janë ftuar të marrin pjesë në këtë mbledhje, presin që kërkesa e tyre për këtë fond të aprovohet.
“Edhe pse nuk jemi të ftuar prapë në takimin e dy Qeverive për shkaqe protokulare, presim që të aprovojnë zyrtarisht kërkesën tonë tani të kahmotshme, FONDIN Kombëtar të Solidaritetit, që NDRYSHIMI i filluar në vitin 2015 të marrë formë dhe tempo edhe më të avansuar, duke inkuadruar konkret motrat dhe vëllezërit tonë nga Kosova dhe Shqipëria që paguajnë taksat edhe për Preshevë”, shkruan Arifi. /Insajderi.com