Haradinaj-Stublla dënon sulmin ndaj autobusit nga Kosova në Mal të Zi

Haradinaj-Stublla dënon sulmin ndaj autobusit nga Kosova në Mal të Zi

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka dënuar incidentin e së mërkurës në Berane të Malit të Zi, ku një autobus me udhëtarë nga Kosova është gjuajtur me gurë, njofton Insajderi.

Sipas saj, ky incident mbjellë frikë për qarkullimin e lirë të qytetarëve ndërmjet dy vendeve.

“Nga ky incident fatmirësisht nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale, megjithëse udhëtarët ishin trishtuar nga ky incident i befasishëm, duke mbjellë frikë për qarkullimin e lirë të qytetarëve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Incidenti ndaj autobusit me skiatorë nga Kosova, të cilët po ktheheshin nga shtigjet e Kolashinit të Malit të Zi, ndodhi teksa ne po festonim 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në Facebook.

Ajo ka kërkuar nga autoritetet malazeze sqarim të plotë të këtij incidenti, “i cili nuk është në frymën e fqinjësisë së mirë e rrugës së pa alternativë të të dyja shteteve për integrim euro-atlantik”

Tutje, kryediplomatja kosovare u ka bërë thirrje atyre që të ruajnë marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve.

“Ambasada jonë në Podgoricë, sot, përmes një note verbale drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi ka kërkuar shpjegim në lidhje me incidentin në Berane.

Si rajon ne jemi përcaktuar për integrim euro-atlantik dhe Kosova  nuk do të lejojë asnjë zbrazëti për minim të kësaj përpjekjeje, nga lufta hibride që po bëhet ndaj shteteve anëtare dhe aleatëve të NATO-s në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar tutje Haradinaj-Stublla./Insajderi.com