Haradinaj-Stublla dhe Selimi në Uashington, diskutojnë mbi përgatitjet e takimit të dy shtatorit

Haradinaj-Stublla dhe Selimi në Uashington, diskutojnë mbi përgatitjet e takimit të dy shtatorit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka njoftuar se përgjatë qëndrimit të saj dhe të ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot janë takuar me Drejtorin e Lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Ryan Tully, në Uashington dhe me Amanda B.Ahlers, Drejtorëshë për Çështjet Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, njofton Insajderi.

Me anë të një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, Haradinaj ka njoftuar se me ta kanë diskutuar mbi përgatitjet e takimit të dy shtatorit dhe përgjithësisht mbi dialogun Kosovë-Serbi.

Ajo tutje ka shkruar se SHBA-të dhe Shtëpia e Bardhë do të jenë gjithmonë adresa e sigurt dhe garanca e qëndrueshmërisë së Kosovës së 17 shkurtit.

“Rikonfirmuam domosdoshmërinë që dialogut tani i duhet lidershipi amerikan që të dinamizojë dhe qartësojë epilogun përfundimtar të arritjes së njohjes reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA-të dhe Shtëpia e Bardhë do mbesin përherë adresa jonë e sigurtë dhe garanca e qëndrueshmërisë së Kosovës së 17 shkurtit”, thuhet në njoftim. /Insajderi.com