Haradinaj-Stublla: Emiratet e Bashkuara Arabe, partner i ardhshëm ekonomik i Kosovës

Haradinaj-Stublla: Emiratet e Bashkuara Arabe, partner i ardhshëm ekonomik i Kosovës

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se Emiratet e Bashkuara Arabe janë partner i ardhshëm ekonomik i Kosovës, njofton Insajderi.

Përmes një postimi në Facebook, ajo tha se ky partner do të zbulojë potencialin e vendit e rinisë, për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shkëmbime në fusha të interesit të përbashkët.

Këto deklarata Haradinaj-Stublla i ka bërë pasi ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministren e Shtetit për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Reem Ebrahim Al Hashimy.

Shefja e diplomacisë kosovare ka bërë të ditur se gjatë kësaj bisede është diskutuar për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Emirateve, përmes implementimit të marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik si edhe projekteve të investimit.

“Biseduam për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Emirateve, përmes implementimit të marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik si edhe projekteve të investimit. Emiratet e Bashkuara Arabe janë një partner i ardhshëm ekonomik, që do të zbulojë potencialin e vendit e rinisë sonë të mrekullueshme, për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shkëmbime në fusha të interesit të përbashkët. Këtë potencial Kosova synon ta kapitalizojë përmes pjesëmarrjes në ngjarjen më spektakolare të shekullit ‘Dubai Expo 2020’”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

Tutje, ministrja në detyrë ka thënë se Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë faktor paqeje e stabilitetin në rajonet respektive, së fundi duke jetëzuar marrëdhëniet me Shtetin e Izraelit përmes angazhimit të përbashkët me partnerin e madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Insajderi.com