Ish-ministrja e Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar pas deklaratës së kryediplomatit në detyrë të Kosovës, Besnik Tahiri, se për shkak të pandemisë askush nga Kosova nuk ishte në inaugurimin e Ambasadës në Izrael, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj-Stublla ka përgënjeshtruar deklaratën e Tahirit duke thënë se e vërteta është që nuk kanë pasur guxim as vizion të t’a formalizuar këtë akt historik.
“Është gënjeshtër e pastër deklarata e dhënë sot nga salla e konferencave në MPJD se kinse për shkak të pandemisë nuk paska qenë e mundur pjesëmarrja në inaugurim. E vërteta është që NUK kanë pasur guxim as vizion për t’a formalizuar këtë akt historik, e as për të punuar jashtë konturave personale/politike për interes afatgjatë shtetëror. Kaq për tash”, është shprehur Meliza Haradinaj-Stublla.
Tahiri ka thënë se ishte paraparë vizita e ish-ministres Meliza Haradinaj-Stublla më 15 mars në Jerusalem, por ajo dha dorëheqje nga posti dhe nga AAK-ja, për shkak të pretendimeve që u ngritën për manipulim me vota.
“Më datën 15 mars ishte paparaparë edhe vizita e ish-ministres Haradinaj-Stublla, për inaugurim, e cila për arsyet që dihen nuk mund të jetë atje. Për shkak të pandemisë ne vet nuk kemi mundur të jemi atje” është shprehur Tahiri në një konferencë për media të mbajtur më datë 14 mars. /Insajderi.com