Haradinaj – Stublla ia pezullon të gjitha vendimet Glauk Konjufcës

Haradinaj – Stublla ia pezullon të gjitha vendimet Glauk Konjufcës

Ministrja aktuale e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj – Stublla, ka treguar se ka nxjerrur një vendim për pezullim të përkohshëm të të gjitha vendimeve, që ajo i ka konsideruar jo legjitime, të ish-ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, njofton Insajderi.

“E vendosur që gjatë këtij mandati, përfundimisht të ketë rend, të respektohen parimet ligjore në rotacionin e munguar të diplomatëve, dhe njëkohësisht të ruhet funksionaliteti i Shërbimit të Jashtëm, me datë 30 qershor 2020 kam nxjerrë vendim për pezullimin 7 ditor të të gjitha vendimeve jolegjitime të marra nga ish Ministri në detyrë”, shkruan Haradinaj-Stublla në llogarinë e saj në Facebook.

Ajo ka thënë se ka krijuar “Komisionin për vlerësimin dhe analizimin e të gjitha vendimeve të ish Ministrit, duke i studiuar ato rast për rast”.

“Bazuar në rekomandimet e këtij komisioni dhe në kompetencat e mia ligjore, kam nxjerrë vendime të reja, duke përmbyllur fazën e parë të rotacionit në Shërbimin e Jashtëm”.

Haradinaj – Stublla në këtë status në Facebook nuk tregon se çka e ka shtyrë të krijojë komision për rishikim të punë së paraardhësit të saj.

Më pas, ajo vazhdon duke shpjeguar vendimet që tash vetë po i merr si ministre e jashtme./Insajderi.com