Meliza Haradinaj-Stublla ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe nga të gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përcjell Insajderi.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ajo, përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se këtë vendim e ka marrë për shkak të dëmtimit të imazhit dhe akuzat që i janë mveshur ditëve të fundit.
Së fundmi në media ka qarkulluar një video ku pretendohet se bashkëshorti i Haradinaj-Stubllës ia ka blerë votat asaj në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Sipas kryediplomates, kjo është bërë nga persona me qëllime të pista.
“Këtë vendim e marr vetëm për shkak të pamundësisë morale që më është shkaktuar dhe imazhit që më është dëmtuar nga persona me qëllime të pista, e jo sepse ndjej përgjegjësi për manipulimet dhe akuzat që më janë mveshur pamëshirshëm mua dhe familjes time. Cenimi i nderit dhe punës sime nga lojërat denigruese të të tjerëve, paraqet shkak-pasojën e këtij vendimi”, ka shkruar ajo.
Haradinaj-Stublla ka pohuar se është e lumtur që pas 15 viteve bashkëpunim me AAK-në, tani “në paqe që po largohem nga prezenca toksike e disa njerëzve që AAK-në e bëjnë parti të pareformueshme, dhe kryetarin Haradinaj të izoluar”.
Kujtojmë se, kandidatja për deputete nga AAK-ja, Florentina Gjergjaj, kishte akuzuar publikisht bashkëpartiaken Meliza Haradinaj-Stublla se ia kishte vjedhur votat.
Ndërsa, të hënën PZAP-ja ka aprovuar ankesën e Gjergjajt që të rinumërohen fletëvotimet me kusht në të gjitha komunat e Kosovës dhe të gjitha fletëvotimet nga diaspora, sa i përket kandidatëve të AAK-së./Insajderi.com
Edhe pse në rrethana ende të pasqaruara, e ndodhur në mes të një skeme piramidale të njollosjes, linqimit, presionit,…
Posted by Meliza Haradinaj-Stublla on Monday, March 8, 2021