Haradinaj-Stublla: Kosova dënon ashpër sulmet në Vjenë

Haradinaj-Stublla: Kosova dënon ashpër sulmet në Vjenë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka dënuar sulmin terrorist të ndodhur në mbrëmjen e së hënës në Vjenë, njofton Insajderi.

Me anë një komunikate MPJ thotë se Kosova qëndron përkrah Austrisë dhe aleatëve të tjerë në luftën kundër terrorizmit global.

Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet që humbën të dashurit e tyre dhe duke ndjerë dhembjen me popullin mik austriak, kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla deklaroi se vendi i qëndron afër qytetarëve të Vjenës ku ndodhën këto sulme.

“Republika e Kosovës qëndron afër qytetarëve të Vjenës ku ndodhën sulme terroriste, duke ndjerë dhembjen dhe trishtimin e austriakëve. Kryerësit e këtyre akteve terroriste meritojnë dënimin më të lartë të mundshëm, ndërsa obligimi ynë i përbashkët është që t’i bashkojmë forcat të gjithë në luftën dhe çrrënjosjen e terrorizmit”, ka thënë ajo. /Insajderi.com