Haradinaj-Stublla mungon në gjykim – thotë se kishte kontakt me një të infektuar me COVID-19

Haradinaj-Stublla mungon në gjykim – thotë se kishte kontakt me një të infektuar me COVID-19

Seanca ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila akuzohet për raportim të rrejshëm të pasurisë, ka dështuar të mbahet sot, meqë Haradinaj-Stublla ka munguar.

Mungesën e të akuzuarës, Meliza Haradinaj- Stublla e arsyetoi mbrojtja e saj, avokatja Merita Stublla – Emini, e cila tha se ministrja mungoi pasi që kishte pasur kontakte me një nga bashkëpunëtoret e afërta në vendin e saj të punës, e cila kishte rezultuar pozitive me COVID-19, raporton kallxo.com.

Me këtë rast asaj i është caktuar termini në institucionin shëndetësor, që të testohet për virusin Corona.

Si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka ardhur në pushtet në muajin shtator të vitit 2017, Meliza Haradinaj – Stublla ka qenë e obliguar të deklaroj pasurinë si zyrtare e lartë, edhe në vitin 2017 edhe në vitin 2018.

Por në formularin e deklarimit të pasurisë në vitin 2017, Meliza Haradinaj – Stublla, nuk ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Agjencinë Kundër Korrupsion, Haradinaj – Stublla ka deklaruar se merr 577 euro si pagë mujore nga Qeveria e Kosovës. Ndërsa ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka një fitim prej 8500 euro nga biznesi që e ka në Prishtinë.

Por Haradinaj – Stublla nuk ka deklaruar se posedon aksione në shoqëri komerciale apo letra me vlerë.

Në maj të vitit 2019, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj këshilltares së kryeministrit të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 18 dhjetor, në ora 9:00. /Insajderi.com