Shumë kosovarë në Gjermani e kanë jetike njohjen e patentë shoferëve të fituar në Kosovë nga Gjermania. Kjo do t’u mundësonte atyre punë më të mira dhe të ardhura më të mëdha. Kryediplomatja kosovare për këtë është takuar me Drejtorin e së Drejtës për Rrugë dhe Marrëveshje Ndërkombëtare në Ministrinë e Transportit dhe Digjitalizimit në Qeverinë e Gjermanisë, Guido Zielke.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, e shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, sot në hapësirat e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin priti në një takim Drejtorin e së Drejtës për Rrugë dhe Marrëveshje Ndërkombëtare në Ministrinë e Transportit dhe Digjitalizimit në Qeverinë e Gjermanisë, Guido Zielke.
Në këtë takim u bisedua procesi i avancimit të bisedimeve rreth njohjes së patentë shoferëve mes Kosovës dhe Gjermanisë, njofton Insajderi.
Haraidnaj-Stublla me këtë rast theksoi nevojën që ky proces të përmbyllet sa më shpejt ngase siç tha ajo janë me mijëra shqiptarë nga Kosova të cilët janë futur në tregun e punës në Gjermani dhe nuk kanë të drejtë të përkthejnë patentë shoferët e tyre.
Kryediplomajta e siguroi Zielke se Qeveria e Kosovës është e vendosur që të zbatojë rekomandimet e Qeverisë së Gjermanisë në mënyrë që kjo marrëveshje të përmbyllet sa më shpejt.
Duke u shprehur optimist se ky proces do të përmbyllet, Zielke tha se pas vizitës që kishte realizuar delegacionit gjerman në muajin shkurt, priste që njohja reciproke e patentë-shoferëve të mbyllej qysh këtë vit, porse rrethanat pandemike kanë bërë të pamundur takimin e ekspertëve të të dyja vendeve./Insajderi.com