Haradinaj-Stublla nga Hungaria: Do të arrihet njohja reciproke Kosovë-Serbi

Haradinaj-Stublla nga Hungaria: Do të arrihet njohja reciproke Kosovë-Serbi

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, gjatë vizitës zyrtare në Hungari është takuar me Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Hungarez, Zsolt Németh.

Në këtë takim u shkëmbyen pikëpamjet rreth bashkëpunimit bilateral Kosovë – Hungari, duke vënë theksin edhe në zhvillimet politike në rajon, specifikisht temën e dialogut me Serbinë.

“Shpreha vendosmërinë e Kosovës për të arritur marrëveshje përfundimtare të njohjes reciproke në kufijtë ekzistues me Serbinë, vetëm duke respektuar tri parimet e panegociueshme: integritetin territorial, rendin kushtetues, dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës”, tha kryediplomatja.

Po ashtu, edhe në këtë takim, të dyja palët janë pajtuar të vazhdohet me punën e përbashkët ndër-shtetërore për thellimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Hungarisë, veçanërisht përmes formalizmit të Grupit të Përbashkët Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Hungari. /Insajdeir.com