Ish-kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, tha se pas gati 3 tri viteve përballjeje me një çështje penale “absurde”, drejtësia triumfoi, përcjell Insajderi.com.
Këto deklarata ajo i bëri pas vërtetimit të Gjykatës së Apelit për pafajësinë e saj e cila po akuzohet për mos raportim të pasurisë.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj-Stublla tha se vërtetimi i pafajësisë së saj është një rast që dëshmon se duhet të luftohet dhe të ndihmohet secili që përkushtohet ta “mbrojë gjyqësorin nga ndikimi politik”.
“Pavarësisht koincidencave që është vështirë të injorohen, e për të cilat nuk është momenti të flas sot, tani më shumë se çdo herë tjetër besoj në drejtësi. Janë pikërisht rastet si ky i imi që dëshmojnë më së miri pse duhet të luftojmë e të ndihmojmë secilin e secilën që përkushtohet t’a mbrojë gjyqësorin nga ndikimi politik, e mediat nga instrumentalizimi shantazhues! Gjuetia e shtrigave kundër atyre që NUK PËRSHTATEN duhet të marr fund!”, thuhet ndër tjerash në postimin e saj.
Ndryshe, Haradinaj -Stublla ishte shpallur e pafajshme në akuzën për korrupsion më 4 qershor të këtij viti.
Kurse, ajo ishte shpallur fajtore nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 4 tetor të vitit 2019, për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim./Insajderi.com