Haradinaj-Stublla reagon pasi kandidatja e AAK-së e akuzoi se u bë deputete duke manipuluar me vota

Haradinaj-Stublla reagon pasi kandidatja e AAK-së e akuzoi se u bë deputete duke manipuluar me vota

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar pasi kandidatja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Florentina Gjergjaj, e ka akuzuar se ka arritur të bëhet deputete e legjislaturës së tetë në Kuvend, për shkak të manipulimit me vota, njofton Insajderi.

Haradinaj-Stublla ka thënë se për “shpifjet dhe fyrjet” që janë bërë drejt saj, kandidatja në fjalë do të përgjigjet në gjykatë.

“Për shpifjet dhe fyerjet kundër meje të cilat po qarkullojnë në disa portale, kandidatja në fjalë do të përgjigjet në gjykatë. Disa herë kam garuar në të kaluarën, dhe pavarësisht rezultatit, gjithmonë kam respektuar vullnetin qytetar”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në profilin e saj në Facebook.

Kujtojmë se, Florentina Gjergjaj ka dërguar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe ka kërkuar rinumërimin e votave të Meliza Stublla-Haradinajt dhe kandidates tjetër të AAK-së, Albana Bytyqi.

Sipas Gjergjajt, Haradinaj duke qenë ministre në detyrë ka përdoruar ndikimin e saj tek personat përgjegjës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, për të manipuluar rezultatin zgjedhorë në favor të saj, duke e dëmtuar Gjergjajn./Insajderi.com