Haradinaj – Stublla takon Shaip Kamberin

Haradinaj – Stublla takon Shaip Kamberin

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka takuar Kryetarin e Grupit Parlamentar të opozitës së bashkuar Shqiptare në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin, njofton Insajderi.

Ajo në një postim në Facebook, Kamberin e quajti flamurtar i të drejtave të pamohueshme të shqiptarëve në Serbi dhe zë i fuqishëm i Luginës për barazi, drejtësi e të drejta të plota.

“Me z.Kamberi biseduam për nevojat emergjente të shqiptarëve në Luginë, për të drejtat e përfaqësimit politik në nivel lokal e qendror, për të drejtën për arsim në gjuhën amtare, për mundësi të rritjes profesionale e për ushtrim të lirë të ndjenjës kombëtare”, është shprehur Haradinaj-Stublla.

“Është e pakursyer dhe e vendosur përkrahja e Kosovës për Luginën dhe shqiptarët në Serbi, e përmes nismave të fundit, ne do t’u gjendemi bashkëkombësve tanë në këto ditë sfidash por edhe më tej”.

Në Haradainja – Stublla është shprehur se “Kosova është e fortë dhe pakundërshtimisht e vendosur për të vulosur drejtësinë për popullin dhe qenësinë e saj, e për bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Serbi”./Insajderi.com