Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Turqi, me ftesë të homologut të saj, Mevlut Çavusoglu, njofton Insajderi.
Gjatë kësaj vizite, ministrja Haradinaj-Stublla dhe ministri i Jashtëm i Turqisë, do të diskutojnë për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.
Para nisjes së kësaj vizite, Haradinaj-Stublla ka vlerësuar mbështetjen e Turqisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, mbështetjen e vazhdueshme dhe shumë dimensionale që ka dhënë për Kosovën, në të gjitha etapat e rëndësishme.
“Ne si shtet i ri jemi të përkushtuar që njohjet tona ndërkombëtare të shtohen, dhe të fuqizohet subjektiviteti ynë ndërkombëtar. Në këtë drejtim do të kërkoj në vazhdimësi mbështetje dhe mirëkuptim të thellë të miqve tanë me të cilët kemi ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi, dhe raporte të pathyeshme, dhe këtu Turqia zë vend të veçantë”, u shpreh ajo, me rastin e kësaj vizite.
Sipas njoftimit të MPJD-së, gjatë vizitës do të adresohen të gjitha aspektet e marrëdhënieve tona dypalëshe, duke përfshirë bashkëpunimin anti-COVID, si dhe çështjet e interesit të përbashkët rajonal dhe ndërkombëtar./Insajderi.com