Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla, ka reaguar për aprovimin e kërkesës naga ana e Qeverisë së Kosovës bërë nga garda IOWA që FSK-ja të bëhet pjesë e misioneve të përbashkëta paqeruajtëse në disa vende të botës, njofton Insajderi.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se aprovimi në Qeveri i këtij vendimi të jashtëzakonshëm, dhe miratimi i sotëm nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, është ndër elementet më thelbësore të tranzicionit të FSK-së, pas votimit të pakos së ligjeve për ushtrinë në vitin 2018.
Sipas Haradinaj – Stublles bashkëpunim në fushën e mbrojtjes nga ana e FSK-së për të zbarkuar në misione të përbashkëta paqeruajtëse në disa vende të botës, është jo vetëm përkrahje e fuqishme strategjike për ushtrinë më të re në Ballkan, por edhe besim i jashtëzakonshëm për profesionalizmin e FSK-së sonë.
Tutje ajo këtë moment të rëndësishëm e ka përcjell edhe me një deklaratë që e pati bërë ish kryeministri Ramush Haradinaj, me rastin e ceremoninë zyrtare të formimit të Ushtrisë së Kosovës në dhjetor të vitit 2018, e cila deklaratë sipas saj është historike.
Deklarata e Ramush Haradinjat ishte kjo:
“Ne vijmë të fundit në rreshtin e ushtrive të paqes dhe do të dalim të fundit prej këtij rreshti. SHBA-të i prijnë rreshtit të ushtrive të paqes në botë dhe ne e kemi nder që të rreshtohemi krah Amerikës. Ne do t’i qëndrojmë besnikë miqve tanë. I marr një fjalë gjeneralit Mattis kur thoshte: Nuk ka mik më të mirë se marinsat, dhe nuk ka armik më të keq. E unë po them: Nuk ka mik më të mirë se FSK dhe nuk do të ketë armik më të keq se FSK. Sot janë gëzuar edhe ushtarët e Ibrahim Rugovës, po ashtu janë gëzuar edhe ushtarët e Adem Jasharit”./Insajderi.com