Haradinaj-Stublla zyrtarizon kandidaturën për deputete

Haradinaj-Stublla zyrtarizon kandidaturën për deputete

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zyrtarizuar kandidaturën e saj për deputete në Kuvendin e Kosovës, njofton Insajderi.

Ai ka kërkuar përkrahjen e qytetarëve në këtë mission, ndërsa ka listuar disa nga arsyet se pse këto zgjedhje janë të rëndësishme sipas saj.

“1. Kosova është në udhëkryq vendimtar për përmbylljen e disa proceseve jetike: njohjen universale të shtetësisë së saj, etablimin final në arenën ndërkombëtare, përmbylljen e çështjeve të hapura me Serbinë, dhe krijimin e infrastrukturës së sigurisë për anëtarësim në NATO.

2. Në këtë periudhë kritike nëpër të cilën po kalojmë, kur vendi ynë ka nevojë për një lidership të fortë përballë sfidave të jashtme, e një ekip të përgatitur e dëshmuar që u përvishet punëve të brendshme, pjesëmarrja ime në këto rrethana është bërë e domosdoshme.
3. Si Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, gjatë çdo takimi, telefonate, apo përfaqësimi, jam angazhuar fortë për të lartësuar Republikën tonë dhe interesin shtetëror e kombëtar brenda dhe jashtë vendit;
4. Kam ruajtur dhe krijuar miq e përkrahës të ri për Kosovën, të cilët më kanë motivuar e inkurajuar që puna jonë e përbashkët në përfaqësimin e Kosovës dhe mbrojtjen e interesave të saj të vazhdojë edhe më fuqishëm;
5. Pa premtime të rrejshme, dhe pa agjenda të pasinqerta, me vizion të qartë për mbrojtjen e sovranitetit shtetëror të Kosovës, për vazhdimin e forcimit të diplomacisë kosovare në këtë funksion, dhe të fuqizimit të Shërbimit tonë të Jashtëm gjithnjë në të mirë të avancimit të interesave dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, ju njoftoj se kam vendosur të jem pjesë e këtij procesi zgjedhor.
6. Do të jem para jush në listën e AAK-së, e cila besojmë fort’ se do të jetë përcaktuese për formimin e institucioneve të reja dhe zgjedhjen e një Presidenti të besueshëm, i cili garanton unitetin e brendshëm e nacional, që ka partneritet kredibil me miqtë ndërkombëtar, e që u del përballë guximshëm sfidave me Serbinë”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në Facebook./Insajderi.com