“Haradinaj ta sqarojë se si u bë ministër Dardan Gashi”

“Haradinaj ta sqarojë se si u bë ministër Dardan Gashi”

Shefi i grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, që t’i sqarojë shumë gjëra të cilat nuk dihen dhe që janë të çuditshme.

Hoti ka kërkuar nga Haradinaj që të sqarojë rolin e ministrit Dardan Gashi, duke i ditur veprimet e tij në krijimin e këtij koalicioni dhe Qeverie.

Ai ka paralajmëruar se deputetët e opozitës nuk do të lejojnë që fati i vendit të varet nga një parti politike (Lista Serbe) e cila në thelb është kundër këtij shteti.

Sipas tij, kjo qeveri do të përballet me një opozitë që nuk është parë më herët.

“Sot nisim luftën tonë demokratike që ta rrëzojmë këtë qeveri dhe organizimin e zgjedhjeve të reja. Deputetët tanë nuk do të lejojnë që fati i vendit të varet nga një parti politike e cila në fondament është kundër vetë këtij shteti”, ka thënë Hoti.

“Do të përballeni me një opozitë që nuk e keni parë më herët”, ka shtuar ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së dhe Alternativës, Avdullah Hoti, ka thënë se pjesa më e madhe e Qeverisë kanë marrë pjesë në luftën e lavdishme të UÇK-së, duke shtuar se tash janë bërë pjesë e një procesi të turpshëm./Insajderi.com