Haradinaj takon Palmer, ripërsërit se roli i SHBA-së në dialog është i domosdoshëm

Haradinaj takon Palmer, ripërsërit se roli i SHBA-së në dialog është i domosdoshëm

Kryetari i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Matthew Palmer, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe rajon, njofton Insajderi.

Siç bën të ditur Haradinaj, në këtë takim ka ritheksuar se AAK është e vendosur në qëndrimin e saj që roli amerikan në dialog është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm për arritjen e marrëveshjes gjithpërfshirëse me Serbinë që rezulton me njohje reciproke.

“Gjithashtu, ritheksova nevojën e perspektivës euroatlantike të Kosovës dhe antarësimin e saj në NATO”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

“Kosova është me fat që gjendet përkrah Amerikës, shtet që përkrahu çlirimin dhe ndërtimin e shtetësisë tonë, që edhe më tutje është aleati jonë strategjik dhe partneri më i besueshëm”, është shprehur më tej Haradinaj. /Insajderi.com