Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka takuar Vasfije Krasniqin, gruan e cila bëri bujë me rrëfimin e saj për traumat e dhunës në Kosovë.
Haradinaj ka thënë se Vasfije Krasniqi është bërë model i shoqërisë sonë për të guxuar. Ndërkaq rrëfimin e saj e konsideron pasqyrën më reale të përjetimeve tragjike të popullit.
“Vasfije Krasniqi, mposhti heshtjen dhe u kryengrit kundër aktit më çnjerëzor, duke u bërë model i shoqërisë sonë për të guxuar. Ajo i dha zë të vërtetës dhe forcë të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës për të dëshmuar. Rrëfimi i saj, si pasqyra më reale e përjetimeve tragjike të popullit tonë, është shtysë e fuqishme për ngadhënjimin e drejtësisë dhe që ta njoh bota të vërtetën e Kosovës. Mëngjesin e sotëm, këtë grua të jashtëzakonshme, e përgëzova për guximin e përmasave heroike. Të gjitha viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës e kanë tërë mbështetjen tonë dhe asnjëherë nuk duhet të ndihen të vetme në këtë betejë për drejtësi”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.