Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, kanë organizuar konferencën ndërkombëtare për PISA 2018 “Të veprojmë së bashku për arsim më të mirë”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se në testin PISA, Kosova ka një nivel të dobët dhe për çdo kritikë.
Ai tha se nuk kanë kohë që të humbin në lidhje me këtë.
“Kemi testin PISA që është shumë keq dhe që na turpëron neve si Kosovë. Kontributin tim do ta jap vetëm t’i përmend disa shkaqe dhe jemi të përkushtuar të ndryshojmë gjendjen”, tha kryeministri Haradinaj.
Ai përmendi disa nga shkaqet e mungesës së cilësisë së arsimit.
“Mësimdhënësit, seleksionimi i tyre është një proces jo aq përmbajtjesor. Nuk janë marrë ata që kanë pas mesatare më të lartë. Kanë arrit me u bë mësimdhënës ata që nuk kanë qenë më të mirët. E dyta programet parashkollore nuk përputhen me parametrat e nevojshme për më tutje. Planprogramet janë ende eksperimentale. Të mos flasim për organizimin e infrastrukturës së shkollave”, ka thënë kryeministri.
“Kemi problem me monitorim, shkollat tona janë pak të monitoruara. Kemi numër shumë të madh të orëve të humbura. Kemi telashe me vlerësim të njohurive, kur jepen vlerësimet në nota, standardet kanë vlerësuar se nuk mjaftojnë për epilog. Është mirë për përballje me të vërtetën t’i tregojmë vetes se puna nuk është mirë”, ka shtuar ai.
Ndërsa, ministri Bytyqi tha se, reformat në arsim duhet të sjellin ndryshim pozitiv, jo vetëm në rezultate arsimore, por edhe në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror dhe si e tillë këtë gjë duhet bërë bashkërisht.
Bytyqi, me këtë rast ka falënderuar Qeverinë gjermane, e cila ka ofruar përvojat më të mira ndërkombëtare sa i përket Testit PISA, ndërkaq shtoi se MAShT ka mbështetjen e fuqishme të Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e cilësisë në arsim.
“Vërtetë ne kemi shumë gjëra për të bërë dhe jemi të vetëdijshëm se nuk është niveli i duhur i arsimit në Kosovë, por siç jemi sot kështu të gjithë së bashku, do të rrugëtojmë së bashku për të ndryshuar gjendjen e arsimit. Kjo Konferencë e sotme shënon edhe një hap më tutje drejt rrugëtimit shumëvjeçar për të mundësuar një arsim sa më cilësor për fëmijët tanë”, tha ministri Bytyqi.
Ndër të tjera, ministri Bytyqi tha se, pjesëmarrja në Testin PISA 2015 na e ka mundësuar të shohim se ku jemi në krahasim me vendet tjera, por edhe na ka dhënë një reflektim të jashtëm që të shohim se, cilët janë hapat të cilët duhet të ndërmerren drejt një arsimi më cilësor në Kosovë.