Haradinaj, Thaçit e Veselit: Keni përkrahjen tonë, pa rezervë

Haradinaj, Thaçit e Veselit: Keni përkrahjen tonë, pa rezervë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka ofruar mbështetje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Thaçi përmes një konference për media ka njoftuar se i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale.

Ai dha dorëheqje nga posti presidentit, njofton Insajderi.

Bashkëluftëtari i tij, Ramush Haradinaj, tha se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte faktor uniteti në vitet e krenarisë dhe sakrificës. Sot, të gjithë ne si popull, por edhe si liderë politik, duhet të tregojmë unitetin kombëtar, në rrethanat e reja të krijuara”.

Ai po ashtu theksoi se “Presidenti Thaçi, kryetari Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarët e mi, që po përballen me gjyqësinë ndërkombëtare, duhet të kenë përkrahjen tonë dhe të qeverisë së Kosovës, pa asnjë rezervë”.

“Duke besuar fuqishëm se do të vërtetohet pafajësia e tyre, Republika e Kosovës do të tejkalojë faqebardhë edhe këtë sfidë”, përfundoi Haradinaj postimin në Facebook. /Insajderi.com