Haradinaj thotë se Serbia po planifikon “vdekje natyrore” kundër taksës 100%

Haradinaj thotë se Serbia po planifikon “vdekje natyrore” kundër taksës 100%

Edhe në seancën e sotme të Kuvendit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për taksën e vendosur ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

Haradinaj ka thënë se taksa nuk do të hiqet, por ka theksuar se Serbia po lobon kundër Kosovës.

Deklaroi se ata po tentojnë të krijojnë “planin humanitar”, që ta nxjerrë Kosovën keq para ndërkombëtarëve, transmeton Insajderi.

Tek taksa 100%.  Ne duhet ta ndërtojmë një narrativ që Kosova me ra në gabime humanitare. Mënyra tjera me na detyru me hek këtë taksë nuk kanë, por mujnë me na kriju pasoja në planin humanitar. Me na nxjerr neve në atë mënyrë që nuk respektojmë nevojat njerëzore”, deklaroi Haradinaj.

Ai paralajmëroi se Serbia mund ta inskenojë ndonjë “vdekje natyrore”. Kjo sipas tij mund të ndodhë që shteti serb të ankohet për mungesën e elementeve të ndryshme.

“Nuk përjashtohet mundësia e ndonjë vdekje natyrore që me thanë se kjo ka ndodhë si mungesë e kësaj dhe kësaj. Ju kisha lutur përkrahne narrativin e vendit tuaj”, tha Ramush Haradinaj para deputetëve.

Shefi i ekzekutivit foli edhe për krijimin e Ushtrisë. Tha se kjo nuk po bëhet kundër serbëve, por për të siguruar stabilitet.

“Do të ecim në rrugë për krijimin e Ushtrisë. Nuk i dedikohet sulmit në veri, kjo është rrenë e Serbisë. Do të ndërmarrim veprime sqaruese për serbët e Kosovës që Serbia po bën propagandë”, tha Haradinaj.

Ai u zotua se taksa 100% nuk do të hiqet deri në marrëveshjen finale me Serbinë. /Insajderi.com