Haradinaj tregon cilat mallra janë të liruara nga taksa 100%

Haradinaj tregon cilat mallra janë të liruara nga taksa 100%

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas pretendimeve të serbëve se po mbesin pa bukë dhe pa barna.

Ai në një postim në rrjetin social facebook ka përmendur disa nga mallrat që janë të liruara nga taksa 100%, që Kosova ia ka vënë produkteve serbe dhe atyre boshnjake.

Haradinaj në postimin e tij ka thënë se ky vendim ka ardhur pas pengesave të shumta që Serbia ia ka bërë Kosovës.

Më poshtë gjeni statusin e tij të plotë:

Pretendimet dhe deklaratat, nga akterë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit, se masat prej 100% ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, i janë drejtuar qytetarëve serb të Kosovës janë të pavërteta, të paqëndrueshme dhe të papranueshëm për të vërtetën dhe qëllimin e këtij vendimi të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ky vendim sovran i Kosovës, vjen si rezultat i pengesave të vazhdueshme që Serbia po ia bën vendit tonë. Për informimin e drejtë të opinionit të brendshëm dhe të jashtëm, nga kjo masë mbrojtëse përjashtohen, si më poshtë:

1. Të gjitha donacionet konform Ligjit nr. 04/L-163 (Për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor, sipas Aneksi I, Pjesa A – Mallrat e liruara nga tatimi doganor) si dhe Kodit Nr. 03/L-109 (Kodit Doganor dhe të Akcizave).

Kjo nënkupton donacionet për kisha dhe objektet fetare; misionet diplomatike ose konsullore dhe personeli i tyre përveç personelit të punësuar vendor kanë të drejtë të importojnë mallra, të liruara nga tatimi doganor, që janë për përdorim zyrtar dhe ekskluziv nga misioni ose për përdorim personal ekskluziv të personelit të misionit përveç personelit të punësuar në vend. (pika 2 e aneksit I të pjesës nën A Ligjit nr. 04/L-163); importet e mallrave të financuara nga fitimet e granteve të dhëna nga Qeveritë, agjencitë qeveritare, organizata qeveritare apo jo qeveritare që veprojnë jashtë apo brenda Republikës se Kosovës, të dhëna për Qeverinë apo përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ndihmuar programet dhe projektet humanitare si dhe ato të rindërtimit në Kosovë. Dërgesat dhe lirimet për KFOR dhe EULEX. (pika 4 e aneksit I të pjesës nën A Ligjit nr. 04/L-163); importet specifike te mallrave për të cilat Qeveria e Kosovës vendosë se duhet të përdoren për qëllime humanitare dhe që nuk janë për shitje e konsumim në Kosovë. (pika 5 e aneksit I të pjesës nën A Ligjit nr. 04/L-163)

2. Mallrat që barten në bagazhin privat të udhëtarëve: Neni 45, 46 dhe 47 i Kodit Doganor dhe të Akcizave (Kodi nr. 03/L-109).

Kjo nënkupton lirimet, të cilat individë të caktuar i sjellin në Kosovë në bagazhe personale (Neni 47 i Kodit doganor dhe të akcizave specifikon shumën – vlerën e mallit, deri 175€, që bartin udhëtarët dhe e cila lejohet pa taksa, duke specifikuar edhe llojet e mallrave);

Për më tepër, të gjitha mallrat që lirohen si donacione, lirimet, si dhe ato për OJQ duhet t’i përmbahen pikës 3 dhe 4 të vendimit 01/76 të datës 21.11.2018 që i përket dokumenteve përcjellëse si dhe deklaracioneve te mallit me emërtimit zyrtar te Republikës se Kosovës.

RH