“I jam përgjigjur kërkesës për takim me Kryeministrin në orën 9 dhe unë në këtë orë isha në zyrën e tij, por ai nuk ishte aty”.
Kështu ka treguar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj për mospjesëmarrjen e tij në takimin me kryeministrin, Albin Kurti – ku pos tij ishin të ftuar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Këta të dy morën pjesë.
“Qëndrimi im për situatën në veri është i qartë dhe ai nuk ndryshon kurrë, pavarësisht nëse vjen kryeministri në takim apo jo”, ka shtuar Haradianj.
“Unë kam qenë dhe jam në Kosovë dhe për Kosovën në çdo kohë dhe situatë. Koordinimi me aleatët tanë duhet të jetë i përhershëm”, ka reaguar Haradinaj.
Njëjtë edhe dy krerët opozitarë, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku, i kanë kërkuar kreut të ekzekutivit kosovar që të koordinohet me bashkësinë ndërkombëtare.
Trupat ndërkombëtare që nga përfundimi i luftës në Kosovë vazhdojnë të qëndrojnë për ruajtur sigurinë.
Njëashtu edhe trupa ushtarake serbe janë të vendosur afër kufirit.
Bazuar në situatën, Albin Kurti, të shtunën kërkoi nga faktori ndërkombëtar që të reagojë ndaj këtyre kërcënimeve të Serbisë. /Shqip.com