Haradinaj udhëtoi për në Hagë me aeroplan të Pacollit

Haradinaj udhëtoi për në Hagë me aeroplan të Pacollit

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka udhëtuar sot për në Hagë i ftuar nga Gjykata Speciale.

Ai udhëtimin për atje pritej ta bënte me “Austrian Airlines” mirëpo nisja pati vonesa të vazhdueshme.

Sipas kabinetit të zëvendëskryeministrit, Behgjet Pacolli, Haradinaj ka fluturuar me avion privat të Pacollit, shkruan Rtv21.

Haradinaj para nisjes ka deklaruar se është i palëkundur në vendimet që ka marrë. Sipas tij, Kosova është e gatshme të dialogoj me Serbinë por duke aluduar në taksën thotë tregun “e japim vetëm për njohje”.

“Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë. Kosova ka ecur përpara në rrugëtimin euro-atlantik dhe është më e fortë se kurrë, në rreshtin e paqes dhe miqësi të përhershme me ShBA-në. Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje”, ka shkruar Haradinaj.