Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje, për të cilën tha se ka tentuar t’i korruptojë deputetët e partisë së tij, por edhe të partive të tjera parlamentare, për ta cotuar Vjosa Osmanin për president të vendit, transmeton Insajderi.
Ai në Klan Kosova është shprehur se ka parë edhe video-incizime të njerëzve të VV-së, të cilët sipas tij, janë munduar t’i korruptojnë deputetët.
“Praktikat me joshje nuk i kontribuojnë demokracisë, aq më tepër kur këta janë thirrur se do të distancohen nga praktikat e mëhershme. Tash e kanë bërë të njëjtën, kanë kontaktuar me sms, kanë shkuar derë më derë… Kam parë edhe video të njerëzve të Vetëvendosjes që janë munduar të korruptojnë vota të deputetëve”, ka thënë Haradinaj.
Lidhur me këtë, ai në Rubikon ka përmendur Sali Zybën e Vetëvendosjes që edhe më herët është thënë se ka kontaktuar me deputetë që të merrnin pjesë në seancë.
“Zyba e ka pranuar që ka pasë takime dhe kjo është histori. Nëse ka shpifur kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, është e drejta ligjore për paditje për shpifje. Kjo histori është e përfunduar. Ai nuk mund të bëjë padi se e di saktësisht me kë ka folur, në cilën komunë afër Prizrenit ka biseduar”.
Ndërsa, lidhur me vendimin e deputetes së AAK-së, Albena Reshitaj, për të marrë pjesë në votim, Haradinaj ka deklaruar se ka qenë vendim i gabuar.
Ai ka shtuar se është munduar që ta bindë për të mos votuar.
“Nuk ka vendim të strukturave të partisë për vendimin e saj. Këshilli Drejtues është ai që vendos. Këshilli Drejtues i AAK-së nuk është mbledh për shkak të pandemisë. Ajo është deputete e Kuvendit. Derisa nuk ka një masë të re ajo është në AAK. Ka qenë gabim i Reshitajt vota e ndarë nga grupi”./Insajderi.com