Haradinaj: Zahiri, Hakifi dhe Edmondi ishin luftëtarë të parë dhe themelues të UÇK-së

Haradinaj: Zahiri, Hakifi dhe Edmondi ishin luftëtarë të parë dhe themelues të UÇK-së

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe te vendi i rënies së tre heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, në Pestovë të Vushtrrisë.

Me rastin e 23-vjetorit të rënies së tre heronjve, Haradinaj tha se ata ishin themelues të UÇK-së, luftëtarë të zot dhe bashkëluftëtarë të mirë.

“Jemi në Pestovë, në vendin ku kanë rënë në fushëbetejë, në luftime heronjtë e Kosovës, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Hakifi, Zahiri e Edmondi jo vetëm që ishin luftëtarë të parë dhe themelues të UÇK, por edhe luftëtarë të zot dhe bashkëluftëtarë të mirë. Të gjithë ne i nderojmë me respekt, kjo ditë me rëndësi në historinë tonë, në këtë rast një dhimbje e madhe, por edhe një argument më shumë që atëherë lufta jonë të vazhdojë deri në liri”, tha Haradinaj.

Para se të shkojë në Pestovë Haradinaj ka bërë homzhe edhe te shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë për të cilin tha se Zahir Pajaziti ka lënë pas vetes një  shembull të një luftëtari të zot dhe bashkëluftëtari të mirë.

Njëri ndër komandantët më të shquar të UÇK-së Zahir Pajaziti ka rënë heroikisht më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë të Vushtrrisë bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën.