fbpx

“Harami i tatuazheve” nuk e pengon miqësinë mes hoxhës dhe reperit

“Harami i tatuazheve” nuk e pengon miqësinë mes hoxhës dhe reperit

Hoxha i shkarkuar nga pozita e imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, pas dyshimeve që e lidhnin atë me nxitje të ekstremizmit fetar, Shefqet Krasniqi, ka shtruar një iftar të premtën e 24 qershorit për të promovuar me këtë rast edhe librat e tij mbi fenë islame.

I  njohur për qëndrimet e tij kontraverse, prej idesë se gruaja është në shërbim të burrit e deri tek detajet nëse lejohet apo jo tatuazhet, Krasniqi me gjithë kundërshtimet që has në publik, ka edhe një audiencë të madhe që e përkrahë atë. Kjo përkrahje ka marrë përmasat e e mëdha deri në atë pikë sa e kanë mbështetur edhe akademikë si Nexhat Daci që në një promovim të mëhershëm të librave të imamit kishte folur në superlative, e deri tek rep këngëtarët nacionalist si Gold AG.

Bile, lidhja me reperin nga Presheva kanë shkuar aq larg saqë janë vendosur fotografi të shpeshta dhe përkrahje verbale mes tyre, raporton Insajderi. Por në krejt këtë lidhje kontraverse mes reperit dhe hoxhës është diçka që ata i ndanë deri në xhehnem, një term i njohur për myslimanët, si vendi ku pas Gjykimit, gjejnë “prehje mëkatarët” apo ata që bëjnë haram.

E këto janë tatuzhet.

tatuazhet1

Reperi dhe hoxha janë parë të pandashëm e shumë të afërt edhe të premtën kur në një promovim të librave të Shefqet Krasniqit, të mbajtur në një restorant në Prishtinë, mes shumë mysafirëve ka qenë edhe Gold AG.

E atij i janë parë edhe tatuzhet për të cilat, hoxha Shefqet Krasniqi, mendon se janë element i mjaftueshëm që një person të “digjet në zjermin e xhehnemit”, raporton Insajderi.

Në një video të postuar në mars të vitit 2014, Shefqet Krasniqi teksa i përgjigjet pyetjes së një individi që dëshironte të bënte një tatuzhë shtesë, kundërshtonte kategorikisht tatuazhet.

tatuazhet2

“Haram osht tatuazhi o mysliman. A e din çka është haram? Me bo me dek pa u pendu, qajo dorë bonu gati me shti në zjerm, e kur të hin dora në zjerm hin trupi krejt. Është haram ajo punë”, thotë Krasniqi në video, raporton Insajderi.

Një pjesë e një videos ishte vendosur tek para 3 javësh në faqen e Facebook-ut të portalit satirik Kukunews ku ka nxitur debat të madh e të ashpër. Madje njerëz të shumtë kishin bërë thirrje që kjo video t’i tregohej reperit Gold AG duke e ditur afërsinë e tij me hoxhën dhe fenë myslimane në përgjithësi.


Por duket sikur miqësia me hoxhës dhe reperit nuk po pengohet nga “harami i tatuazhit” dhe sipas fotografive të postuara së fundmi, shihet se miqësia e tyre vetëm po trashet.

Historia e tatuzheve të reperit është e vjetër po aq sa edhe historia e lidhjes së reperit me fenë dhe në mënyrë specifike me hoxhën Shefqet Krasniqi, raporton Insajderi.

Sipas hoxhës, bërja e tatuazhit është tregues se njerëzit nuk janë të kënaqur me krijimin e Zotit apo Allahut.

“Sepse kjo i bie që ty nuk po të doket dora e mirë por po don me e zbukuru. Ty zoti nuk të paska fal të mirë por ti po don me e bo vetën më të bukur edhe më të mirë. Me ndryshu pamjen që ta ka dhon Allahu. Andaj duhet me u pendu, edhe kur të pendohesh për atë gjynah që e ke bo është mesele tjetër: a duhet me hjek a nuk duhet me hjek? Duhet me hjek, por a mundesh me hje tatuazhin sepse është shtirë me hjek”, thotë Krasniqi në videon për tatuzhet.

tatuazhet4

E reperi para dy vitesh kishte deklaruar për media se ka nisur heqjen e tatuazheve.

“Tatuazhet i kam bërë para shumë vitesh, ka qenë diku viti 2005 apo 2006 dhe për faktin se ato ndalohen në fenë islame, kam vendosur t’i heq, por këtë mund ta bëj vetëm me ndërhyrje kirurgjike me laser. Por megjithatë unë me zemër jam i lidhur për fenë time myslimane dhe jam penduar për këto tatuazhe që i kam bërë dhe vazhdimisht pendohem te Allahu. E di se bëhen shumë thashetheme për këto tatuazhe që i kam, por me kalimin e kohës do t’i mënjanoj”, kishte thënë Gold Ag në një intervistë para dy vitesh për Zërin.

Por sic shihet në fotografitë e së premtes, ai ende I mban tatuzhet madje duken të mirëmbajtura.

Edhe nëse Gold AG është penduar për tatuzhet, ai sipas hoxhës duhet të ndjekë një kurs: të mos bëjë më asnjë tatuazh.

“Nese mundesh me hjek duhet me hjek, nuk mjafton vetëm pendimi. Por nëse nuk mundesh me hjek, atëherë ti mjafton pendimi, e pjesë e pendimit është mos me ngjit mo deri në kijamet”, thotë hoxha./Insajderi.com