Deri të premten do të jetë i hapur konkursi për drejtorë të Administratës Tatimore të Kosovës.
Në mesin e një numri të aplikuesve është edhe ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija.
Lajmin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar vetë Haraqija, duke shtuar se i plotëson të gjitha kushtet për këtë pozitë.
“Qe shtatë vite pa punu, edhe duhet me punu. Kushtet të gjitha i plotësoj. Dy vjet kryeshef,tri e gjysëm ministër, një vit zv/ministër i financave bash me ATK jam marrë, i dënuar s’jam”, tha Haraqija për Insajderin.
Astrit Haraqija ka qenë ministër i Kulturës në periudhën 2014-2017.
Më datën 15 dhjetor të vitit 2016 Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte shqiptuar dënim me kusht Astrit Haraqisë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Por në muajin qershor të vitit 2017, Gjykata e Apelit kishte marrë aktgjykimin lirues ndaj Haraqisë dhe Valton Beqirit, dy ish-ministrave të Kulturës.
Ata dyshoheshin për financimin e një filmi, që Prokuroria pretendonte se nuk është realizuar asnjëherë.
Për pozitën e të parit të ATK-së u raportua se është edhe ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj.
Konkursi për të partin e Administratës Tatimore është shtyrë deri më datën 16 nëntor.
Aktualisht këtë institucion e kryeson Sakip Imeri. /Insajderi.com